URIMI I PASHKËVE NGA IMZOT SIMON KULLI IPESHKËVI I SAPËS

“Ngjallje është gjithmonë kur ne besojmë në Zotin”

Të dashur besimtarë, meshtarë, rregulltarë dhe rregulltarë të Dioqezës së Sapës,

Janë Pashkët e mia të para të cilat po i kremtoj së bashku me Ju, pa praninë fizike të shumë të dashurit Mons Lucjan Avgustini, por sigurisht që Ai nga qielli e bekon këtë dioqezë.

E falënderoj Zotin për hiret e shumta që na i dhuron çdo ditë dhe që më zgjodhi mua të pa denjë Bari i juaj, kjo ishtenjë dëshmi dashurie se Grigjës i nevojitej bariu për ta drejtuar, mbikëqyrur, nxitur në shërbesën priftërore të Krishtit – Meshtarë, Profet dhe Mbret.

Ngjallja nuk është diçka që vjen pas Kryqit. Ngjallja gjendet brenda në Kryq; kur e pranojmë, lirisht, si Jezu Krishti, nga dashuria për Hyjin dhe të afërmin tonë.

Me ngjalljen e Krishtit, drejtësia dhe dashuria e Hyjit morën shprehjen e tyre më triumfale, duke e shfuqizuar pushtetin e urrejtjes, të keqes dhe të vdekjes.

Në ngjalljen e Krishtit është i përfshirë secili që është i pagëzuar në emër të tij. Të përfshirë me këtë ngjarje, jemi të thirrur që të jemi jo vetëm dëshmitarë, por edhe profetë të ngjalljes së tij, bartës të shpresës për një jetë më të mire dhe më të lumtur. Jemi të thirrur që prej të gjitha mendimeve dhe fjalëve tona, prej të gjitha veprave tona të rrezatojë shkëlqimi i Krishtit të ngjallur.

Rruga e Pashkëve është rrugë e vuajtjes, e mundimeve dhe e lotëve, por e lotëve që kthehen në lot gëzimi. Porosia e gëzueshme e Ungjillit të Pashkëve ia rikthen njeriut identitetin, ia jep kuptimin e ekzistencës së tij e përmbush me jetën e cila nuk do të kalojë kurrë.

“Ngjallje është gjithmonë kur ne besojmë në Zotin” është thirrja ime në këto Pashkë të para, me dëshirë që gjithmonë të jemi të angazhuar për Zotin dhe të mirën e popullit, Ju uroj dhe dëshiroj që të shpallim Ngjalljen e Krishtit, domethënë thelbin e besimit tonë, në këtë mënyrë atëherë do të plotësojmë thënien “Krishti është Pashka e jonë”.

Në Krishtin Bariun e Mirë

Simon Kulli
Ipeshkëvi i Juaj