URIMI I PASHKËVE NGA DOM SIMON KULLI – ADMINISTRATOR I DIOQEZIT TË SAPËS

Dom Simoni

Letra e Administratorit Dioqezan
drejtuar meshtarëve rregulltarëve e rregulltareve dhe besimtarëve të Dioqezit të Sapës, me rastin festës së Pashkëve 2017

Krishti është ngjallur, drita me rrezet e tija mundi errësirën!

Të dashur besimtarë, Krishti është ngjallur! Aleluja!

Krishti është ngjallur! Drita me rrezet e tija vertetë e ka mundur errësirën dhe njerëzimi mund t’i drejtohet Hyjit me fjalët: “Në dritën tënde o Zot, ne e shohim dritën”. Kjo dritë e Krishtit të ngjallur, është drita e gëzimit dhe e shpresës, drita e mëngjesit të ri që agon mbi botën e vjetër dhe e ripërtërin atë, drita që me forcën e saj mundi hijet e trishtimit nga shpirtrat dhe zemrat e vuajtura të të gjithë njerëzve.

Ngjallja e Krishtit lajmëron rrugëdaljen nga errësira tragjike e qënies njerëzore, kapërcimin përfundimtar të vdekjes, ngjalljen e tërë natyrës njerëzore.

Si simbol i kësaj drite të Krishtit, të ngjalljes së Zotit, ndezet qiriu i pashkëve. Fjalët e bekimit të qiriut të pashkëve tingëllojnë me tërë forcën e tyre ngazëlluese: “Krishti dje dhe sot, Fillimi dhe mbarimi. Atij i përkasin kohët dhe shekujt. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti në shekuj e në amshim”. Krishti, duke mundur vdekjen, që është caku i fundit i kohës së njerëzve, ka mundur edhe pushtetin e kohës dhe çdo kohë është e tija: e djeshmja, e sotmja, e ardhmja, fillimi dhe mbarimi. Të gjithë e mbajmë në zemër dritën e Hyjit që Krishti na e ka sjellë. Në këtë botë ne jemi bartësit e dritës së tij, sepse jemi pagëzuar dhe e kemi pranuar të Ngjallurin dhe kemi besuar në fitoren e tij përfundimtare mbi errësirën.

Këtë vit kremtojmë pashkët pa praninë fizike të bariut tonë Mons. Lucjani, por sigurisht që, është i pranishëm shpirtërisht në mesin tonë dhe na shoqëron nga qielli duke u lutur për të gjithë ne besimtarët dhe për mbarë Dioqezën, së cilës i shërbeu për rreth 10 vite.

Drita e besimit, të dashur besimtarë, mbush jetën tonë personale dhe shoqërore, përcakton udhën tonë të të gjitha ditëve, na jep njohjen e së vërtetës, forcën e bindjen ndaj saj.

Të jetosh me forcën e Krishtit të ngjallur do të thotë të përjashtosh nga e përditshmja fuqitë e vdekjes dhe të keqes.

Krishti i ngjallur prej së vdekurish nuk na mbyllë në vetvete, në rrethin tonë, në vendin tonë, në kishën tonë lokale. Siguria e ngjalljes na e hap horizontin e pakufi, përcakton mendimin dhe moralin tonë.

Të bashkuar në një trup me Krishtin, i cili e mori natyrën tonë njerëzore, ftohemi që të bëhemi “mbarë botërorë” në kuptimin shpirtëror. Sot flitet shumë për globalizimin e në veçanti atë ekonomik, i cili na tremb disi. Ngjallja e Krishtit ka hapur perspektivën dhe  mundësinë për një globalizim të ndryshëm. Kisha që në vitet e para të ekzistencës së saj, ka folur për rëndësinë që kishte Kryqi dhe Ngjallja e Krishtit, për afrimin e njerëzve dhe vëllazërimin e të gjithë popujve të botës.

Në këtë mënyrë me dritën e Krishtit të Ngjallur e shohim tjetrin ndryshe, jo si kundërshtar por si vëlla. Kisha e jeton, e kremton dhe e shpallë këtë lajm. Ajo vazhdimisht edhe në vendin tonë e bën dëshmi, që është vulosur me gjakun e martirëve të saj dhe jo me gjakun e kundërshtarëve. Kisha na mëson që të lutemi jo vetëm për ata që na duan por edhe për ata që na urrejnë, që na shajnë na persekutojnë. Ngjallja e Krishtit e ka përcaktuar rrugën për një globalizim shpëtimtar që mbetet në kapërcimin e egoizmit, qoftë individual apo kolektiv, dhe në kultivimin e dashurisë në përmasa lokale dhe mbarë botërore.

Në këtë kohë, kur kremtojmë gëzimin e fitores ndaj të keqes dhe vdekjes, nuk mund të harrojmë se misteri i vuajtjes dhe i dhembjes vazhdon të ndrydhë shumë njerëz në vendin tonë, sepse është i madh dhe i rëndë misteri i mëkatit dhe i egoizmit që e errëson dritën e dashurisë. Mëkati e ka errësuar të gjithë skenën e ekzistencës së vendit tonë, dhe në këtë errësirë janë konsumuar tragjedi apsurde, që kanë lënë plagë të thella në të gjitha shtresat e popullsisë së shumë vuajtur shqiptare. Hyji ishte dhe vazhdon të jetë i dëbuar në mënyrë të paskrupullt nga ndërgjegjia e besimtarëve edhe sot. Dëbimi i Hyjit shkakton mbizotërimin e egos njerëzore dhe bllokon procesin e zhvillimit të shoqërisë.

Krishti i Ngjallur, Ai është e mira e pambaruar. Vetëm Ai është lumturia e vërtetë. Ne të gjithë kemi nevojë për Zotin, por, ku e kërkojmë dhe ku e gjejmë?

Shqipëria dhe Kisha jonë në ditët e sotme ka më shumë nevojë për dhuratën qiellore. Hyji  nuk na ka braktisur dhe nuk na lë pas dore kurrë. Ai vjen për të banuar mes nesh; Ai vjen për të na dhuruar jetën; Ai vjen për të na mësuar rrugën e lumturisë. Por, nevojitet një gjë: që t’ia hapim zemrat dhe të dëgjojmë thirrjen e dashurisë që Ai na e drejton.

Besimtarë të dashur, tregojuni njerëzve të kohës sonë me fjalë, me vepra dhe me një jetë të shenjtë, se Krishti, shpresa jonë, është ngjallur, se ai i prinë historisë dhe pret çdo njeri. Shtegtimi ynë nuk mund të përfundojë te varri. Krishti e ka mundur vdekjen dhe të gjithëve na ka ndriçuar me dritën e Ngjalljes. Ai na ka mësuar një udhë të re. Ka vetëm një rrugë për t’i shpëtuar vështirësive, vuajtjeve, urrejtjes, hakmarrjes, të keqes që na shkatërron …. Kjo rrugë e vetme është Krishti. Të njohësh Krishtin e Ngjallur dhe t’ua shpallësh këtë lajm të tjerëve, do të thotë: të krijosh miqësi me Jezusin. Kjo miqësi me Jezu Krishtin i hap dyert e jetës. Nëpërmjet kësaj miqësie e provon atë që është e bukur, atë që të çliron nga çdo ankth dhe vështirësi.

Ne që besojmë në Krishtin e ngjallur kemi një mision, që t’i tregojmë botës se Krishti u Ngjall! Ai është shpëtimi ynë, Ai është lumturia e vërtetë.

Krishti është ngjallur, drita e tij e ka mundur errësirën! Kjo siguri le të na mbushë me fuqi dhe shpresë për të tashmen dhe të ardhmen e vetes sonë, të familjeve tona, të vendit tonë e të mbarë botës. Me shëndet Pashkët!

Vau-Dejës, 12 prill 2017

Dom Simon Kulli
Administrator Dioqezan i Sapës