URIMI I KRISHTLINDJES NGA DOM SIMON KULLI – ADMINISTRATOR I DIOQEZIT TË SAPËS

Simoni

Krishtlindje 2016

Është Krishtlindje, festa e gëzimit dhe Dashurisë.

 

Shume të dashur Meshtarë, rregulltarë, besimtarë dhe njerëz vullnet mirë te dioqezit të Sapës.

 

Pas angazhimeve shpirtërore që përjetuam në Kohën e Shenjtë të Ardhjes, tashmë gjendemi përpara një foshnje të mbështjellë me shpërgënj e të vënë në grazhd (Lk 2.12).

Përballë këtij misteri, miq të dashur, Foshnjës Jezus le t’ia ofrojmë varfërinë që çdonjëri nga ne përjeton në këtë Krishtlindje: mungesën e Ipeshkvit tonë të dashur Imzot Lucjanit. Kjo grigje e vogël e Sapës – që ishte mësuar, nga ky bari i mrekullueshëm, të shtegtonte dhe të udhëhiqej drejt shpellës se Betlehemit për të soditur Foshnjën Hyjnore – sivjet nuk e ka këtë mundësi që ta dëgjojë zërin e ëmbël të Bariut i cili, si gjithmonë, na ftonte për t’ju bashkuar zërit të barinjve të shohim çka ndodhi, ngjarjen që na kumtoi Zoti (Lk 2,15). Siç duket, Ati qiellor, e thirri Imzot Lucjanin që të jetë protagonist i ngjarjes së madhe të Krishtlindjes, në një mënyrë tjetër, që ta madhëronte e ta lëvdonte Zotin në qiell, së bashku me Engjëllin dhe me ushtrinë e madhe të qiellit duke i brohoritur me galdim: Lavdi Hyjit në më të lartin qiell e paqe mbi tokë njerëzve që i ka përzemër! (Lk 2,14)

Porse, Emanueli, Zoti me ne, ashtu sikurse di të na sprovojë, të kërkojë prej nesh me të shtrenjtën, ashtu di edhe të na dhurojë vetveten dhe bashkë me vetveten edhe dhurata shumë të çmueshme që zbukuruan jetën e çdo personi dhe të krejt popullit tonë shqiptar.

Fort të dashur, të nxitur nga mbretërit dijetarë të cilët kur panë Foshnjën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë (Mt 2.11), ashtu edhe ne, sikurse mbretërit le t’i shkëmbejmë disa dhurata me Foshnjën Hyjnore. Mund te pyesim se çfarë mund t’i ofrojmë Jezusit, çka mund të shkëmbejmë me këtë Foshnje…? Shkëmbimet mund të jenë të ndryshme, ato varen nga gjendja në të cilën ndodhet çdo njeri ose çdo shoqëri. Besoj se gjatë këtij viti shoqëria jonë shqiptare është mbuluar me dhantì të shumta prej Zotit: Jubileu i Mëshirës; gëzimi i Shenjtërimit të Nanës Terezë; Lumnimi i Martirëve tanë si dhe mirënjohjen për Kishën tonë për emërimin e Kardinalit në personin e dom Ernest Troshanit. Ne e dimë shumë mirë se pranimi i dhuratave mbart në vetvete edhe angazhimin që lypet prej nesh si popull, që t’i lejojmë Zotit ta shndrisë dhe ta stolisë jetën tonë, ashtu sikurse kemi zbukuruar pemën e Krishtlindjes.

Ne këtë Krishtlindje, që na tregon dashurinë, afërsinë, faljen dhe mëshirën e Zotit ndaj nesh, pse të mos i ofrojmë Foshnjës hyjnore, në mbarim të Jubileut, angazhimin tonë konkret për të qenë të mëshirshëm me njeri-tjetrin, sikurse tregohet Ati ndaj nesh; angazhimin për të falur, për të shtrirë dorën e pajtimit, aty ku konflikti, ndasia dhe gjakmarrja qojnë krye etj. Shenjtëria e Nanës Terezë a nuk duhet të rrezatoje shkëlqimin e fytyrës dhe jetës së personit që gjendet përbri jetës sime, si dhe angazhimin tim konkret që liria e tij të lulëzojë së bashku me shoqërinë shqiptare!? Dëshmia heroike e martirëve tanë a nuk duhet të na nxisë drejt idealeve të mëdha për t’i bërë dritë errësirës që mjerisht tenton të kaplojë shoqërinë tonë, teksa shohim rininë e pa shpresë që largohet pa asnjë siguri drejt vendeve dhe një të ardhme që nuk dihet se ku të nxjerr!? Edhe martirët tanë patën mundësi të largohen, por vendosën të qëndrojnë e t’i bëjnë ballë furtunës qe i priste për të na lëne neve sot trashëgiminë e madhe që tregon dashurinë e pakushtëzuar për Atdhe, për Zot dhe për njeri. Atëherë, si dhuratë në grazhdin e Foshnjës hyjnore le të përtërijmë angazhimin tone për ta dashur më shumë vendin, për t’i shërbyer më tepër atij, duke kundërshtuar, me guximin e martirëve, fenomenet negative e shoqëri shkatërruese sikurse janë droga, korrupsioni, padrejtësitë dhe gjakmarrja.

Për disa aspekte jemi shoqëri e varfër sikurse kjo Foshnje e mbështjellë me thjeshtësi dhe varfëri. Por, asgjë s’duhet të na shqetësojë sepse Emanueli bëhet i ngjashëm me ne dhe jeton në mesin tonë duke na treguar udhën, të vërteten dhe jetën e pambarim.

Teksa përballë grazhdit sodisim, adhurojmë dhe pranojmë Dashurinë që bëhet njeri, le ta lejojmë Dritën e Foshnjës Hyjnore të na shndrisë me rrezet e saja që jeta dhe vepra e jonë, në përditshmërinë e saj të jenë dëshmi e gjallë e Dritës së vërtetë që kurrë s’perëndon.

Për shumë Mot Krishtlindjen!

Dom Simon Kulli
Administrator i Dioqezës se Sapës