PROMOVIM I BULETINIT TË CARITAS SAPA

buletin

Në prag të Krishtlindjes Caritas dioqezan Sapa organizoi ceremoninë e promovimit të Buletinit të Caritasit, një përmbledhje e punës dhe gjithë veprimtarisë së Caritasit.
Ceremonia u mbajt në sallën e Martirëve Shqiptarë, në Ipeshkvinë e Sapës, me një pjesëmarrje të madhe të audiencës, ku mes tyre ishin të pranishëm autoritete të larta kishtare, autoritete të qeverisjes vendore, trupa diplomatik, publicistë të njohur, bisnesmen si dhe miqtë e Caritasit. i pranishëm ishte edhe ish ipeshkvi i Sapës, aktualisht ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili shprehi mirënjohjen e tij ndaj dioqezës së Sapës dhe Caritasit të cilin e pati themeluar që në vitin 2000.
Drejtori i Caritas Sapa, z. Nikolin Lekaj në hapje të kësaj ceremonie theksoi rëndësinë e këtij punimi, i cili paraqitet si pasqyrë e gjendjes dhe situatës reale të Caritasit dioqezan që ka në qendër të vëmendjes zhvillimin socialo-ekonomik dhe zbutjen e varfërisë. Po në këtë kontekst ai u ndal edhe në disa pika kyçe ku Caritasi nëpërmjet stafit të punës së tij, ka ndërhyrë për të kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetesës. Gjithashtu ai shprehi falenderimet e përzemërta për Renovabis, që ka bërë të mundur që në kuadër të projektit “Fuqizimi i Caritaseve Dioqezane”, të botohet edhe ky buletin, përmes të cilit njihet dhe vlerësohet edhe më shumë jeta dhe veprimtaria e Caritas Sapa.
Gjatë këtij promovimi foli edhe Administratori Dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli, i cili theksoi vlerat e jetës shoqërore dhe sociale në kohët e sotme dhe tha se janë të shumta kërkesat që kërkojnë ndjeshmërinë e krishterë. Bota e jonë ka plot kontradikta të një rritjeje ekonomike, kulturore, teknologjike, etj., duke lënë me miliona e miliona njerëz poshtë minimumit të duhur të dinjitetit njerëzor. Më tej, dom Simoni shtoi se i krishteri që përballet me këtë pamje, duhet të mësojë të bëjë veprën e tij të besimit në Krishtin. Vetëm në Jezu Krishtin gjejmë përgjigje konkrete në pyetjen: si të jetohet? Me dashuri dhe në dashuri.
Ky punim ka trajtën e një pasqyre që ofron objektivitetin e Caritasit, të veprës dhe realizimit të saj, lidhur gjithnjë me gjendjen dhe kushtet e jetës të mbarë komunitetit dioqezan të Sapës, dhe me drejtësinë sociale. E gjithë kjo përmbledhje besojmë se përfshin në misionin e vet gjithë veprimtarinë jetësore që konstaton falë zbatimit të projekteve për ndërtimin e një shoqërie më efektive dhe më dinjitoze për jetën e secilit.