NUK KA RËNDESI SE SA NDIHMOJMË, POR SA DASHURI, VENDOSIM NË ATË QË DHUROJMË

caritas_sapa_koncert_2016

Nën Këtë moto, Caritasi Dioqezan Sapa organizoj Koncertin Tradicional të Krishtlindjes në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës në Vau-Dejës. Ky koncert organizohet në kuadër të Ditës së Caritasit dhe të fushatës ndërgjegjegjesuese, në kuadër të projektit Fuqizimi i Caritas-eve Dioqezane në Shqipëri. Në këtë eveniment, artistë të njohur, me shumë dashuri iu përgjigjen ftesës nga Caritas Sapa, për të performuar para publikut të Dioqezës së Sapës, me një diapazon të gjerë muzikal e recital nga repertorët e tyre.
Të ftuar special ishin orkestra e harqeve udhëhequr nga Eugjen Gargjola, Artisti i Merituar z. Mirush Kabashi, sopranoja Erinda Agolli si dhe kori polifonik që priti Papa Françeskun në vizitën e tij në Shqipëri i drejtuar nga mjeshtri Lukë Mllugja.
Administratori Dioqezan i Sapës, Dom Simon Kulli, duke falenderuar Caritasin Dioqezan per punen që zhvillon në Dioqezë, iu ka uruar mirëseardhjen të gjithëve të pranishmëve në Katedrale dhe kujtoi se kjo mbrëmje artistike na dhuron atë gëzim të domosdoshëm që lartëson zemrat tona drejt së bukurës drejt artit. Dhe përmes këtij lartësimi do të jemi në gjendje të hyjmë dhe ta sodisim në mënyrë të natyrshme misterin e krishtlindjes që po afron.
Ndërsa artisti i merituar z. Mirush Kabashi solli vargjet e nënë Terezes dhe të martirit Dom Lazer Shantoja, ku përmes interpretimit të një shpirti artisti solli emocione të mëdha për publikun artdashës.
Vetë artistët e vlerësuan këtë event si një kontribut të çmueshëm për bamirësinë dhe për çështje të tilla shoqërore dhe sociale. Ato vetë personalisht ishin protagonistët kryesore të bamirësisë, ku me zërin dhe interpretimin e tyre ato dhuruan herë pas herë emocione të jashtazonshme shoqëruar edhe me duartrokitjet e publikut.
Ky koncert do të jetë nxitje për secilin që në dashuri ndaj njëri-tjetrit ta jetojmë ashtu siç duhet këtë kohë të shenjtë dhe të presim Krishtlindjen.