MOS TË DUAM ME FJALË POR ME VEPRA

00

Është ky mesazhi i Atit të Shenjtë Papa Françesku, vendosur për Ditën e Parë Botërore të të Varfërve, nëpërmjet të cilit ai fton mbarë kishën që të kujdeset për shtresën e të varfërve.

Nisur nga kjo, edhe Caritas Sapa me mbështetjen e Ipeshkvit Imzot Simon Kulli, organizoi një drekë vëllazërore për të varfërit e kësaj dioqeze, me pjesëmarrjen e 200 familjeve. Në këtë ditë kushtuar të varfërve, bariu i kësaj grigje, së bashku me meshtarët, motrat dhe vullnetarët e Caritasit nëpërmjet duarve të tyre shërbyen gjithë drekën, duke dëshmuar kështu dashurinë vëllazërore ndaj më nevojtarëve; një shembull ky që tregon barazinë me këto njerëz, solidaritetin dhe kujdesin ndaj tyre. 


Në përshëndetjen e mirëseardhjes, ipeshkvi i vendit theksoi fjalët e Atit të Shenjtë, “ku secili nga ne është i thirrur që t’u afrohemi të varfërve, ti takojmë ato, t’i përmbushim vështrimet e tyre. Dora e tyre e shtrirë është gjithashtu një ftesë për të dalë nga siguritë dhe ngushëllimet tona dhe për ta pranuar vlerën e varfërisë në vetvete – shtoi ipeshkvi. Prandaj, lum duart e hapura që përqafojnë të varfërit dhe i ndihmojnë ata. Janë duart që sjellin shpresën dhe derdhin balsamin e ngushëllimit mbi plagët e njerëzimit”. 


Në kremtimin e kësaj dite përveç ushqimit, nuk munguan edhe momentet e gëzimit dhe alegrisë që bashkëndanë mes vëllezërve, të cilët gjejnë një strehë të ngrohtë dashurie dhe miqësie pranë institucionit bamirës të Caritasit. Ndaj Caritasi për njerëzit në nevojë ka treguar gjithmonë vëmendje dhe mbështetje jo vetëm në një ditë, por edhe gjatë gjithë vitit, ku familjet nevojtare trajtohen me ndihma ushqimore dhe me nisma të ndryshme në ndihmën dhe fuqizimin e ekonomisë familjare.