Mëshira është rruga që bashkon Hyjin me njeriun

Mons

Imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës

Mëshira është rruga që bashkon Hyjin me njeriun

 

Letër baritore drejtuar

të gjithë meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, besimtarëve dhe njerëzve vullnet mirë

me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës

 logot

Shumë të dashur,

si Bari i juaj, dëshiroj që nëpërmjet kësaj letre, të arrij tek të gjithë ju, me rastin e Vitit Jubilar të Mëshirës që të angazhohemi për të përfituar nga kjo kohë hiri të Zotit për dobinë tonë shpirtërore.

Programin për ecjen tonë shpirtërore e kam mbështetur në udhëzimet dhe nxitjet të cilat janë shpallur nga Papa Françesku në Bullën e shpalljes së Vitit Jubilar “Misericordiae Vultus”, sepse të gjithë pjesëtarët e Kishës “kemi nevojë të sodisim misterin e mëshirës, burim gëzimi, qetësie dhe paqeje. Është kusht për shpëtimin tonë. Mëshira është rruga që bashkon Hyjin dhe njeriun, sepse ia hap zemrën shpresës se jemi të dashur gjithmonë pa marrë parasysh kufizimin e mëkatit tonë” (krh Fytyra e Mëshirës 2).

Vitit Jubilar i Mëshirës fillon me 8 dhjetor me hapjen e Derës së Mëshirës në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Pastaj në të Dielen e tretë të kohës së Ardhjes, me 13 dhjetor, hapet Dera e Mëshirës në të gjitha kishat Katedrale në mbarë botën, e pastaj edhe në ato kisha që sipas zgjedhjes së ipeshkvit caktohen si Kishë Derë e Mëshirës, vende ku besimtarët preken në zemër nga hiri i Zotit dhe e gjejnë rrugën e kthimit.

Në Dioqezën tonë, kam caktuar që Derë e Mëshirës të jenë:

  • Kisha KatedraleE lumja Nënë Tereza” në Vau Dejës
  • Kishën e Shën Mëhillit dhe Familjes Shenjte në Karmel – Nënshat.

Në këto dy kisha, Dyer të Mëshirës, meshtarët do të jenë në dispozicion për rrëfime çdo ditë (përveç të Dielave dhe festave të urdhëruara) në oraret e caktuara dhe të shpallura për dijeni besimtarëve.

Vitin Jubilar duhet ta jetojmë në dritën e fjalës së Zotit: Të Mëshirshëm sikurse Ati – mësim që Jezu Krishti e kërkon prej nesh, «bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm» (Lk 6,36). Është një program jete që duhet të na angazhojë të gjithëve. Urdhëri i Jezu Krishtit, u drejtohet atyre që e dëgjojnë zërin e tij. Prandaj, për të qenë i aftë për mëshirën e Atit, duhet të vihemi në dëgjim të Fjalës së Hyjit, për ta medituar e për ta jetuar. Vetëm në këtë mënyrë mund ta kuptojmë mëshirën e Atit e pastaj duke e bërë stil jete të dimë ta dëshmojmë në jetën tonë.

E vërteta e parë e Kishës është dashuria e Krishtit. Për këtë dashuri, që arrin deri në faljen dhe dhurimin e vetes, Kisha bëhet shërbëtore dhe ndërmjetësuese pranë njerëzve. Prandaj, aty ku Kisha është e pranishme, aty duhet të jetë e dukshme mëshira e Atit. Në famullitë tona, në bashkësitë, në shoqatat dhe lëvizjet, me një fjalë, kudo që ka të krishterë, çdokush duhet të gjejë një oazë mëshire”(Fytyra e Mëshirës 12).

Të mëshirshëm sikurse Ati – është motoja që na prinë gjatë këtij Viti. Për ta jetuar sa më mirë këtë jubile, kam programuar një rrugëtim shpirtëror së bashku me këto aktivitete:

  • Ripërtërirja shpirtërore dhe rrëfimet - për besimtarët në të gjitha famullitë, qytete e fshatra;
  • Katekeza – vëmendje e veçantë ti kushtohet temave të Mëshirës, Faljes, Pajtimit dhe dashurisë vëllazërore;
  • Falja dhe pajtimi

 

Pa dëshminë e faljes kemi një jetë të pafrytshme dhe shterpë, është si të jetonim në shkretëtirë. Falja është një forcë që të ngjall në jetën e re dhe të jep kurajën për ta shikuar të ardhmen me shpresë” (Fytyra e Mëshirës 10).

Papa Françesku, bën thirrje “nëse ti nuk di të falësh, ti nuk je i krishterë. Nëse ti nuk fal, ti nuk mund të marrësh paqen e Zotit, faljen e Zotit. Falni njëri – tjetrin! Siç ju ka falur Zoti, ashtu bëni edhe ju”.

Pasi që e njoh mirë gjendjen e grigjës e cila më është besuar në kujdes shpirtëror, e kam fort për zemër që të punojmë pa u lodhur për falje dhe pajtim ndërmjet familjeve dhe personave.

Jam i vetëdijshëm se kemi situata dhe raste nga më të ndryshmet, por veçanërisht kërkoj një angazhim për pajtim në ato raste ku, për fat të keq kanë ndodhur vrasje dhe familjet janë të ngujuara apo jetojnë me dëshirë hakmarrjeje. Një mënyrë e tillë e të jetuarit nuk është në përkim me Zotin dhe Ungjillin e Krishtit. Të jetuarit në urrejtje, në inat dhe me dëshirë për t’u hakmarrë i shërben rritjes së të keqes, i shërben djallit.

Prandaj dëshiroj dhe bëj thirrje që të gjithë, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë dhe njerëz vullnetmirë të punojmë pa u lodhur për ta përhapur mësimin dhe vullnetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, që të jetojmë në paqe e pajtim.

Falja e fyerjeve bëhet shprehja më e dallueshme e dashurisë së mëshirshme dhe për ne të krishterët është një urdhër të cilin nuk mund ta anashkalojmë…  Falja është mjeti që kemi në duart tona për të arritur qetësinë e zemrës. Heqja dorë nga mllefi, zemërimi, dhuna dhe hakmarrja janë kushte të nevojshme për të jetuar të lumtur” (Fytyra e Mëshirës 9).

Do të krijohet një grup i përbërë prej besimtarëve, meshtarëve në krye me ipeshkvin dhe që ka për qëllim realizimin e faljes dhe pajtimin ndërmjet familjeve apo individëve. Kush nuk e pranon vullnetin dhe angazhimin e Kishës për falje e pajtim, ai e kundërshton Zotin dhe nuk e pranon paqen e tij për të jetuar në lumturinë që Ati i mëshirshëm na e dhuron.

  • Veprat e mëshirshme të trupit dhe të shpirtit

 

Të gjithë besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë janë të thirrur të kujdesen për plagët e atyre njerëzve që jetojnë në periferi të vendeve tona. Të dimë t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe dhimbjet me vajin e ngushëllimit, t’ua lidhim plagët me mëshirën tonë dhe ti shërojmë me solidaritetin dhe vëmendjen e nevojshme. (krh. Fytyra e Mëshirës 15).

Për këtë dëshiroj që Caritasi dioqezan të angazhohet për t’i sensibilizuar dhe ndërgjegjësuar besimtarët për rritjen e dashurisë vëllazërore, duke pasur shembull punën dhe dashurinë e pajtores së kishës Katedrale të dioqezës sonë të Sapës, të Lumen Nënë Tereza si dhe fjalët e Shën Gjonit të Kryqit se: “Në mbarimin e jetës, do të gjykohemi në bazë të veprave të dashurisë”.

Caritasi dioqezan, duhet që në forma të ndryshme, qoftë me fuqi të veta, qoftë me ndihmën e bamirësve të kishave motra nga vendet e ndryshme, me ndihma konkrete t’u qëndrojë afër familjeve të cilat jetojnë në varfëri ekstreme.

Shtëpia e Bamirësisë në Vau – Dejës, që ka në kujdes personat e moshuar dhe personat me aftësi ndryshe;

Qendra Papa Gjoni XXIII në Nënshat që ka në kujdes personat që kurohen prej varësive të drogës;

Duhet që të jenë vende mësimi dhe edukimi të dashurisë në vepër për të gjithë, posaçe për të rinjtë. Në këto dy qendra, nëpërmjet famullitarëve dhe personave përgjegjës, duhet të organizohet shërbimi vullnetarë dhe ushtrimi i dashurisë vëllazërore.

  • Festa e Zojës së Lurdit, 11 shkurt 2016 – do të kremtohet Jubileu i të sëmurëve dhe punëtorëve shëndetësor. Në këtë ditë në shenjë solidariteti dhe kujdesi për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit, organizohet dhurimi vullnetar i gjakut për shpëtimin e jetës.
  • Festa e Mëshirës Hyjnore

Për ta jetuar në plotësi mëshirën e Atit që na është dëftuar nëpërmjet Birit që e ka dërguar në mesin tonë, Jezu Krishtit, kam caktuar që me 2 prill 2016 në vigjiljen e kësaj feste  të organizohet një kremtim i gjithmbarshëm dioqezan në Dragushë, kisha e së cilës i kushtohet Mëshirës Hyjnore. Dëshiroj që gjatë këtij kremtimi të japim dëshminë e faljes dhe mëshirës duke u pajtuar me Zotin dhe njëri – tjetrin.

E kam fort për zemër realizimin e një shtegtimi në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe një audiencë me Papa Françeskun.

  • Shtegtimi dhe ndjesa jubilare

Në kishat të shpallura Dyer të Mëshirës, në formë të grupeve apo individualisht duhet të organizohen shtegtime të cilat janë shenjë e ecjes sonë në realizimin e qëllimit. Shtegtimi është  nxitje për kthimin e zemrave tona kah Zoti për ta përjetuar mëshirën dhe për t’u angazhuar për të qenë të mëshirshëm me të tjerët sikurse Ati është me ne. (krh Fytyra e Mëshirës 14)

Ndjesa jubilare, duhet të jetë për secilin përvojë e vërtetë e mëshirës së Zotit. “Pavarësisht faljes, në jetën tonë mbartim kontradiktat që janë pasojë e mëkateve tona. Në sakramentin e Pajtimit Hyji i fal mëkatet, që me të vërtetë janë shlyer; e megjithatë, gjurma negative që mëkatet tona kanë lënë në sjelljet tona dhe në mendimet tona mbetet. Por mëshira e Hyjit është më e fortë edhe se kjo. Ajo bëhet ndjesë e Atit… Ndjesë do të thotë të provosh shenjtërinë e Kishës… me qëllim që falja të shtrihet deri në pasojat më ekstreme ku arrin dashuria e Hyjit.” (Fytyra e Mëshirës 22)

Kush mund ta fitojë ndjesën dhe si?

Secili që bën një shtegtim, duke kapërcyer “Derën e Mëshirës”, e hapur në çdo katedrale ose kishë të caktuar me vendim të ipeshkvit dioqezan, si dhe në katër Bazilikat papnore në Romë, pasi të pendohet për mëkatet, rrëfehet, merr pjesë në meshë, kungohet, bën dëshminë e fesë me lutjen e Besojmës dhe lutet sipas njetit të Papës, fiton ndjesën jubilare për mëkate;

Të moshuarit dhe të sëmurët duhet që ta pranojnë dhe jetojnë sëmundjen dhe vuajtjen si përvojë e afërsisë me Zotin. Pasi të rrëfehen dhe marrin kungimin me pjesëmarrje në meshë apo edhe duke e përcjellë nëpërmjet radios, TV, si dhe nëpërmjet lutjes së bashkësisë;

Ndjesa mund të fitohet edhe për të vdekur, në qoftë se ne i kujtojmë me shtegtim, rrëfehemi dhe marrim pjesë në meshën shenjte dhe lutemi për shpirtrat e tyre.

Duke pasur parasysh dramën e mëkatit të abortit, Papa Françesku u jep të gjithë meshtarëve të drejtën për ti zgjidhur prej kësaj censure, të gjithë ata që kanë ra në ndëshkim me këtë mëkat.

Kush bie në censurën e mëkatit të abortit? Personi që me vullnet të lirë dhe me dije e kryen veprën e abortit; personi që e detyron për të kryer veprën e abortit (bën presion fizik apo psikik); personi që asiston në kryerjen e veprës; ai që, e ka ditur dhe nuk e ka penguar së paku me këshillë por e ka përkrahur në kryerjen e veprës së abortit.

Këta, në qoftë se me zemër thellësisht të penduar, lypin falje dhe rrëfehen, meshtarët mund t’iu japin zgjidhjen prej mëkatit të abortit. Meshtarët duhet të përgatiten për këtë detyrë të madhe e t’i ndihmojnë pendestarët me ndonjë reflektim për të kuptuar mëkatin e kryer, për të kuptuar se aborti është akt kundër jetës, pra është vrasje. Duhet të ndihmohen të penduarit në rrugën e kthimit për ta kuptuar faljen dhe mëshirën e Atit.

Për të fituar ndjesën jubilare të mëkateve na ndihmojnë edhe veprat e mëshirshme të trupit e të shpirtit duke i kushtuar kujdes dhe dashuri atyre që kanë nevojë për ndihmën dhe kujdesin tonë.

Të gjithë besimtarët jemi të thirrur që “ta vendosim në qendër me bindje sakramentin e Pajtimit, sepse mundëson të prekim me dorë madhësinë e mëshirës. Për çdo të penduar do të jetë burim i vërtetë paqeje të brendshme”. (Fytyra e Mëshirës 17)

Një thirrje e veçantë është për ata persona “që janë larg hirit të Hyjit për shkak të mënyrës së tyre të jetesës. Për të mirën  tuaj, ju kërkoj të ndryshoni jetë.

Meshtarëve u kërkohet që të jenë “shenjë e vërtetë e mëshirës së Atit. Të mos harrojmë kurrë, se të jemi rrëfyestar do të thotë të marrim pjesë në misionin e Jezu Krishtit e të jemi shenjë konkrete e vazhdimësisë së një dashurie hyjnore që fal dhe shpëton”. (Fytyra e Mëshirës 19)

Do të kemi edhe kremtime të tjera jubilare dioqezane në të gjitha fushat e veprimtarisë baritore, që do të caktohen gjatë ecjes sonë. Hyji Atë “kurrë nuk lodhet duke na hapur derën e zemrës së tij për të përsëritur se na do dhe dëshiron ta bashkëndajë me ne jetën e vet. Çdo herë që çdokush do të ketë nevojë, mund ta ketë atë, sepse mëshira e Hyjit është e pakufi” (Fytyra e Mëshirës 25).

Viti jubilar do të mbyllet në dioqezën e Sapës të dielën e XXXIII gjatë Vitit, që do të thotë me datë 13 nëntor 2016.

E lumja Nënë Tereza e cila dëshmoi për dashurinë e Hyjit, le të ndërmjetësojë për të gjithë ne.

Virgjëra Mari, Nëna e Mëshirës le të jetë ndihma e jonë për ta jetuar sa më mirë këtë Vit Jubilar të Mëshirës.

Duke uruar që ta përjetojmë mëshirën e Atit dhe të jemi të mëshirshëm ndaj njëri-tjetrit, Ju bekoj të gjithëve.

+ Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës

Vau-Dejës, 30.11.2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>