KREMTIMI I DITËS SË CARITASIT

kremtimi

Ditë pas dite, të diele pas të diele, janë këto ditë të kohës së Ardhjes që po na shoqërojnë drejt kulmit të festë së madhe të Krishtlindjes. Ndërsa kjo e diele që sapo lamë pas ishte e Diela e Tretë e Ardhjes, ajo përkoi edhe me Ditën e Caritasit, dita kushtuar bamirësisë. Në kuadër të këtij eventi në Dioqezën e Sapës, në çdo famulli është kremtuar dhe kujtuar dita e Caritasit. Në Katedralen Shën Tereza e Kalkutës, është mbajtur Mesha e Shenjtë udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, dom Simon Kulli. Që në fillim të meshës, dom Simoni kujtoi ipeshkvin e dashur, Imzot Lucjan Avgustini, prania e të cilit tashmë na mungon që prej disa muajsh, por të gjithë jemi të sigurtë se Ai është gjithmonë i paharruar në mendjet dhe zemrat tona. Gjatë homelisë vuri në dukje kuptimin e plotë të fjalës Caritas, e cila vjen nga latinishtja dhe në gjuhën shqipe përkthehet me fjalën Dashuri. Për të krishterët merr një domethënie të thjeshtë e të madhërishme dhe bëhet një fjalë e mrekullueshme, një nxitje, një frymëzim. Nëpërmjet kësaj dashurie shndërrojmë zemrat tona dhe të mbarë njerëzimit, vishemi me dashurinë e Krishtit që na është dëftuar dhe zbatojmë mësimin e Krishtit që na është shpallur.
Një tjetër mënyrë e kremtimit të ditës së Caritasit ishte edhe mbledhja e ofertave, organizuar nën kujdesin e Caritas Sapa, e cila tashmë aplikohet prej vitesh. Vullnetarët e Caritasit, pas marrjes së bekimit nga Dom Simoni, u shpërndanë nëpër qytet dhe shkuan në çdo pikë tregtare për të mbledhur kontributin e shitësve, që në forma të ndryshme japin diçka nga vetja e tyre për njerëzit më në nevojë.
Është për t’u vlerësuar puna e Caritas Sapa, i cili krijon gjithmonë atmosfera të ndryshme kremtimesh të cilat përkojnë dhe me festat e fundvitit, por në të njëjtën kohë japin një shtysë dhe nxitje për secilin që kontribuon, duke ngrohur zemrat e nevojtarëve përmes dashurisë vëllazërore që tregohet nga ana e atyre që dhurojnë. Dhe në këtë ngrohtësi shpirtërore nuk duhet të jetë i përjashtuar askush, por të gjithë bashkë të dëshmojmë vlerat humane dhe njerëzore, dashurinë e Zotit dhe provaninë e Tij, dhe të ndjehemi të barabartë me njëri-tjetrin.