KONCERTI I BAMIRËSISË

001

KONCERTI I BAMIRËSISË

Në prag të ditës së CARITASIT, në vigjilje, Caritas Dioqezan Sapa organizoi Koncertin Tradicional të Bamirësisë, mbajtur në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës” në Vau-Dejës.Të ftuar në këtë aktivitet ishin disa prej emrave më të njohur të muzikës klasike dhe asaj tradicionale shqiptare si Kori polifonik dhe solistët e grupit “Rozafa Expression” nën drejtimin e Mjeshtrit Prof. Zef Çoba, shoqëruar në piano nga Klevis Gjergji, si dhe Artistja e Merituar Znj. Roza Anagnosti. Gjatë interpretimit të tyre ato sollën për publikun e dioqezës së Sapës aromën e muzikës më të zgjedhur të krishtlindjeve, kohë të cilën po e jetojmë gjatë kësaj periudhe, me një repertor të pasur të kësaj muzike, por nuk munguan edhe aroma e këngëve të muzikës klasike.

Në atmosferën e gëzimit që na u dhurua nëpërmjet këtij koncerti, Artistja e merituar znj. Roza Anagnosti solli vargjet nga Nënë Tereza dhe At Gjergj Fishta. Nëpërmjet recitimit të kësaj aktoreje të madhe, ajo përcolli plot emocion në publikun e pranishëm në katedrale, duke i shtuar notat e gëzimit të festës, kësaj feste të mrekullueshme që sikurse thekson dhe Ati i shenjtë: “është festa që ngroh zemrat më të ftohta dhe zhduk barrierat e indiferencës ndaj të afërmit” .

Koncertin e nderoi me praninë e tij edhe Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili falenderoi shumë organizatorët e këtij eventi, stafin e Caritasit Dioqezan, të gjithë artistët pjesëmarrës që dhuruan falas zërin e tyre të mrekullueshëm, dhuratën që Zoti ua ka dhënë, duke e kthyer kështu në bamirësi. Gjithashtu ai ftoi të gjithë besimtarët kudo që ndodhen që kjo Krishtlindje të na ndihmojë që ta pranojmë mësimin e dashurisë dhe thjeshtësisë së Foshnjës Hyjnore, ti japim jetës sonë dhe vendit tonë një frymëmarrje të re të të jetuarit në solidaritet, vëllazëri, dhe paqe njëri me tjetrin.