Historik i Caritas Dioqezan Sapa

Caritasi Dioqezan është Organizmi Baritor i Kishës lokale që ka detyrën e formimit dhe të kuptimit më të thellë të bamirësisë, me synim drejtësinë shoqërore dhe barazinë sociale, paqen e zhvillimin njerëzor, duke iu dhënë përparësi më të varfërve ndër të varfër. 

Me miratim të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, Caritas dioqezan Sapa u themelua në Maj të vitit 2000, nga ipeshkvi i Sapës Imzot Dodë Gjergji, dhe ndodhet me seli në Vau-Dejës. Lindja e kësaj ministrie të rëndësishme të trupit të Dioqezës krijoi një marrëdhënie të ngushtë me klerin dioqezan, duke u vënë në kontakt për të ndihmuar rastet emergjente të varfërisë që mbizotëronte në gjithë territorin.
Presidenti i parë i Caritas Dioqezan Sapa ishte Imzot Dodë Gjergji, dhe qëndroi në këtë detyrë nga viti 2000-2007.
Drejtori i parë ishte misionari italian, Dom Giovanni Fiochi, i cili qëndroi në këtë detyrë nga viti 2000-2003. Menjëherë pas themelimit, ky institucion bamirës u organizua në mënyrën më të mirë të mundshme, ku u formuan strukturat organike përkatëse të çdo sektori, gjë të cilat ndihmuan në mbarëvajtjen e të gjithë veprimtarisë caritative.
Nga viti 2003 deri në vitin 2012, drejtimi i Caritasit iu besua Dom Simon Kullit.
Nga viti 2012 e në vazhdim Caritasi ka për drejtor z. Nikolin Lekaj. Duke pasur si qëllim kryesor nxitjen e gjestit të bamirësisë nëpër bashkësi të ndryshme të dioqezës, Caritasi në çdo kohë u ka qëndruar afër personave më në nevojë, duke bërë që: “të uriturin ta ushqejë; të etshmit t’i japë të pijë; të zhveshurin ta veshë dhe të braktisurin ta strehojë”.
Në fillimet e tij, Caritas Dioqezan Sapa ka pasur një mbështetje të gjërë nga Caritasi Shqiptar me projekte te ndryshme për rritjen e kapaciteteve. Veprimtaria e tij është shtrirë nëpërmjet projekteve afatgjatë dhe afatmesëm, duke vepruar në shumë fusha të ndryshme, qofshin ato në zbutjen e fenomenit të varfërisë, në fushën shëndetësore, social-kulturore-edukative etj. Iu është përgjigjur sfidave të ndryshme si: Emergjencat Natyrore, të cilat janë të pranishme pothuajse çdo vit në dioqezën tonë, duke iu siguruar atyre asistencë materiale të nevojshme dhe duke iu kthyer shpresën në komunitet.
Caritas-i Dioqezan i Sapës punon me programe edukimi, që synojnë forcimin e pjesëmarrjes qytetare, nxitjen e barazisë sociale, ofrimin e shërbimeve mbështetëse në komunitet, nxitjen e vullnetarizmit si dhe aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve nëpërmjet edukimit.
Caritas-i Dioqezan Sapa në bazë të programit te emergjencave ka ndërtuar edhe departamentin e vullnetarëve, një pikë kyçe e veprimtarisë së Caritasit, ku prania e këtyre të rinjvë vullnetarë, me vullnetin dhe bindjen e tyre të lirë, me vetëdijen dhe ndërgjegjësimin e tyre u japin asistencë të përhershme personave me aftësi të kufizuar. Madje Caritasi ka bërë të mundur edhe realizimin e një projekti të veçantë për këtë kategori njerëzish që janë të harruar nga shoqëria. Dhe që nga vitin 2003 Caritas-i dioqezan zhvillon aktivitete te ndryshme me këto persona, duke bërë që kjo shtresë mos të mbyllet brenda katër mureve të shtëpisë, mos të jetë e diskriminuar nga shoqëria dhe familjet e tyre, por të jenë pjesë aktive në shoqëri.

Gjithashtu një ndihmë konkrete u është dhënë familjeve të përmbytura në vitet 2002, 2003 në fshatrat Vig, Mnelë, Mal i Rrëzuar, si dhe në zonen e Nën/Shkodres në vitin 2009, 2010. Po ashtu asistohen familjet e izoluara nga reshjet e dëborës në zonat e Tropojes, Pukës, Kukësit etj.

Tjetër iniciativë e Caritasit është edhe “grumbullimi i fondeve”, pra nxitja për mbledhjen e kontributeve vullnetare të parave ose formave te ndryshme, duke kërkuar që të dhurohet diçka nga vetë besimtarët, nga bizneset, fondacionet bamirëse etj.
Falë bashkëpunimit të përbashkët me meshtarët, rregulltarët, laikët dhe miqtë tanë bamirës, është bërë e mundur realizimi i këtyre projekteve, dhe dallohen qartë shenjat pozitive në veprimtaritë e ndryshme të ndërmarra nga ky institucion, i cili bën që të përçohet zëri i dashurisë së Zotit tek çdo besimtar i dioqezës.
Caritas Dioqezan Sapa ka një mbështetje dhe bashkëpunim mjaft të ngushtë nga presidenti i tij, ipeshkvi i Sapës Imzot Lucjan Avgustini, i cili e mban këtë post që nga viti 2007 e në vazhdim. Ai kërkon të jetë kohërent, i pranishëm dhe i gatshëm në çdo kohë të ndjekë nga afër çdo aktivitet të Caritasit, e madje shpesh-herë ofron dhe ndihmën e tij personale në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar.

Caritas Dioqezan Sapa e ushtron aktivitetin e tij në këto fusha dhe me këto projekte:
– Varfëria ekstreme
– Personat me aftësi të kufizuar
– Aktivitete me fëmijë dhe të rinjë
– Ndërtimi i shtëpiave të të pastrehëve
– Emergjencat natyrore
– Trajnime dhe konferenca
– Qendra dëgjimore