DREKA E KRISHTLINDJES ME PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE

003

Në prag të festës së Krishtlindjes, Caritas Sapa zhvilloi festën tradicionale të me personat me aftësi ndryshe. Sipas traditës të krijuar tëshmë kjo festë startoi të shtunën e 23 dhjetorit, ku me pjesëmarrjen e shumë personave nga famullitë e dioqezës u bënë bashkëkremtues të kësaj feste kushtuar pikërisht personave me aftësi ndryshe. Dita e festës nisi me kremtimin e Meshës Shenjte në Katedralen “Shën Tereza e Kalkutës”  në Vau-Dejës. Në kremtimin e udhëhequr nga ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, gjatë fjalës së rastit ai theksoi që të më lejoni që në këtë Krishtlindje të parë për mua si ipeshkëv, të vendosem në mënyrë të veçantë edhe unë për të soditur foshnjën hyjnore krah për krah me  të sëmurët, me të varfërit si dhe të gjithë bijtë dhe familjet shqiptare në emigracion që vështirësitë e  ndryshme jetësore i kanë ndarë prej familjeve dhe të afërmve.

Pas kremtimit të meshës shenjte, Caritas Sapa shtroi dhe drekën vëllazërore të përgatitur në mënyrëm më të mirë të mundshme, duke iu afruar personave me aftësi ndryshe një klimë mjaft kreative, festive dhe të larmishme nëpërmjet këngës dhe humorit. I ftuar special ishte këngëtari i mirënjohur nga Shkodra, z. Luigj Alia së bashku me këngëtarin e ri, Ivan Tanushin, përcollën momente mjaft të gëzueshme për të pranishmit. Gjatë këtij eventi shpirtëror dhe artistik nuk munguan edhe surprizat, nga vullnetarët e Caritasit, të cilët improvizuan babagjyshin e vjetër dhe babagjyshin e vitit të ri duke kaluar çaste të mrekullueshme. Edhe bariu i Sapës, Imzot Simoni gëzoi me të pranishmit gjatë drekës, ku pati momentin të bashkëndante edhe urimet e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri 2018.

Surpriza e fundit ishte dhe shpërndarja e dhuratave të përgatitura nga Caritas Sapa.