DITA BOTËRORE E TË SËMURËVE – ZOJA E LURDIT

27750355_1240966329369771_5906928197541583666_n

Në Ditën Botërore të të Sëmurëve, që ndryshe njihet si Dita e Zojës së Lurdit, edhe Caritasi Dioqezan i Sapës organizoi kremtimin e ditës së të sëmurëve. Besimtarë të shumtë nga famullitë e dioqezës kanë shtegtuar drejt Katedrales për t’iu bashkuar këtij kremtimi, solemn të kësaj dite mbajtur në Katedralen “Shën Nënë Tereza e Kalkutës”, në Vau –Dejës.

Meshën Solemne festive, e udhëhoqi Ipeshkëvi i Sapës, Imzot Simon Kulli, në bashkëkremtim me shumë meshtarë të tjerë të dioqezës. E veçanta e kësaj dite ishte prania e të gjithë personave me Aftësi Ndryshe. Rreth 100 persona të tillë ishin të pranishëm në Meshën Shenjte, ku kisha posaçërisht sot i kushton një kujdes të veçantë këtyre personave që vuajnë në vuajtjet e trupit dhe atyre që me dashuri e mirësi kujdesen që t’ua lehtësojnë vuajtjet.
Gjatë homelisë së rastit Ipeshkëvi tha se “në këtë ditë dëshiroj që të nxisë besimtarët katolikë dhe njerëzit vullnetmirë që t’i rikthejnë kuptimin dhe vlerat e jetës, të dinë të bashkëpunojnë me Zotin dhe mësimin e tij, dhe në këtë mënyrë të bëhen ndërtuesit e shpresës dhe jetës më të lumtur. Të gjithë duhet të angazhohemi që të paraqesim shëndetin dhe sëmundjet nën dritën e Ungjillit, të inkurajojmë promovimin dhe mbrojtjen e jetës dhe të dinjitetit njerëzor që nga të ngjizurit e deri në momentin e fundit. Të dimë të jetojmë Ungjillin autentik, diakonik (në shërbim) duke e parë në të sëmurin vetë Jezu Krishtin, sikurse edhe është identifikuar me ta. Duke vazhduar më tej, dom Simoni iu drejtua të sëmurëve me këto fjalë: Të dashur të sëmurë, në bashkësinë e Kishës është rezervuar për ju një vend i veçantë. Gjendja e vuajtjes në të cilën jetoni dhe dëshira për të rifituar shëndetin ju bëjnë veçanërisht të ndjeshëm për vlerën e shpresës. Në përkujtimin e Zojës së Lurdit, po ju besoj ndërmjetësimit të Marisë: Ajo ju ndihmoftë që ta forconi dhe pasuroni virtytin e shpresës që t’i jepni një kuptim të ri vuajtjes duke e shndërruar atë në një rrugë ungjillëzimi dhe shëlbimi.
Festimet e Zojës së Lurdit u përmbyllen sipas traditës me drekën vëllazërore Organizuar nga Caritas Dioqezan Sapa me të sëmurët, ku së bashku kaluan momente feste, gëzimi e argëtimi me njëri-tjetrin.