DARKA E BAMIRËSISË

002

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Por ne të gjithë

mund të bëjmë gjëra të vogla

me dashuri të madhe.

{Shën Tereza e Kalkutës }

Është një traditë tashmë që në prag të festës së madhe të Krishtlindjes dhe të Ditës së Caritasit, Caritas Dioqezan Sapa organizon darkën e bamirësisë me miqtë e Caritasit, biznesmenë të fushave të ndryshme nga Dioqeza e Sapës dhe jashtë saj, të cilët e përdorin këtë hapësirë për të dhënë kontributin e tyre për bamirësi, në ndihmë të atyre që kanë më shumë nevojë. Pjesë e këtij eventi ishin jo vetëm biznesmenë por edhe autoritete të qeverisjes lokale dhe përfaqësues të trupeve diplomatike.

Me ftesë të Ipeshkvit të Sapës, Imzot Simon Kulli, në këtë mbrëmje ka nderuar me praninë e tij, Nunci Apostolik në Shqipëri, Shkëlqesia e Tij, Imzot Charles John Braën i shoqëruar edhe nga këshilltari Imzot Romanus Mbena.

Të pritur nga Ipeshkvi i vendit, imzot Simon Kulli dhe nga Drejtori i Caritas Sapa, z. Nikolin Lekaj, darka është hapur me një takim vëllazëror në Rezidencën e Ipeshkvisë së Sapës, ku ipeshkvi ka shprehur falenderimet e tij të përzemërta si bari i kësaj  dioqeze për kontributin e secilit që vazhdon të dhurojë vazhdimisht në veprimtarinë e bamirësisë. Ndër të tjera ai theksoi faktin se Dashuria në vepër nuk njeh kufi të ngjyrës, të përkatësisë fetare apo kombeve. Dhe këtë e dëshmon më së miri edhe iniciativa duke iu përgjigjur me kontributin e tyre edhe miqtë pjesëtarë të familjes së besimit mysliman që me praninë e tyre ia shtojnë edhe më shumë nuancat e gëzimit të kësaj feste. Po kështu edhe Nunci Apostolik shprehi gëzimin e tij, që për herë të parë merr pjesë në një event të tillë, ku të gjithë së bashku solidarizohen për të ndihmuar dhe për të vlerësuar vuajtjet e tjetrit.

Me gjithë modestinë, mbrëmja ofroi pastaj darkën vëllazërore të shtruar në mensën e Caritasit, e cila u kthye në një festë gëzimi me pjesëmarrjen e artistëve të mrekullueshëm si; këngëtarja Rezarta Smaja dhe Ardian Tanushi, të shoqëruar edhe nga grupi i humoristëve të Shqipërisë “Gaz e Maraz”, që me talentin e tyre dhuruan emocione të pashlyeshme të përzgjedhura nga repertorët e tyre, duke e kthyer këtë natë në një natë festive shoqëruar me dashuri dhe humanizëm. Kjo ishte një ngjarje aq e veçantë që nëpërmjet kësaj atmosfere u krijua një ndjesi e bukur shpirtërore për të gjithë pjesëmarrësit që dhuruan anën financiare nga vetja e tyre, por ama mbushën zemrat plot me dashuri dhe mirësi.