DARKA E BAMIRËSISË

darka_e_bamiresise

Në kuadër të kremtimit të ditës së Caritasit, (11.12.2016) tashmë sipas traditës, Caritas Sapa organizoi edhe këtë vit Darkën e Bamirësisë me pjesëmarrjen e biznesmenëve të Dioqezës së Sapës dhe më gjërë. Është kjo një iniciativë bamirësie e cila vihet në dispozicion të të varfërve. Ky Organizim i frytshëm ka sjellë një risi për dioqezën tonë, ku ishin të pranishëm edhe biznesmenë nga Shkodra, Durrësi, Lezha Puka e Tirana, duke bërë që të gëzohen shumë zemra njerëzish, qofshin ato që kontribuojnë, qofshin edhe ato që përfitojnë për të zbutur sadopak varfërinë.
Kjo darkë bashkoi jo vetëm biznesmenë por edhe autoritete të qeverisjes lokale dhe përfaqësues të trupeve diplomatike. Të pritur nga Administratori Dioqezan Dom Simon Kulli dhe drejtori i Caritasit Nikolin Lekaj, të gjithë pjesëmarrësit kanë shprehur gëzimin që janë pjesë e kësaj nate të veçantë dhe asistojnë bamirësinë në bashkësitë famullitare të dioqezës, ku me të vërtetë nevojat janë shumë të mëdha. Surpriza e kësaj nate ishte prania e ish ipeshkvit te Sapes, sot ipeshkvi i Kosoves, Imzot Dodë Gjergji, ku me praninë e tij tregoi afërsinë e dashurinë e tij ndaj kesaj dioqeze dhe mbarë popullit shqiptar.
Me frymëzimin e kësaj nisme që ka për synim bamirësinë, kësaj nate iu shtua edhe një kontribut i paçmueshëm i artistëve që dinë të falin dashuri për të varfërit, japin një shembull të jashtëzakonshëm ndërgjegjësimi dhe humanizmi. Këto artista ishin këngëtarët e mrekullueshëm si Ardian Tanushi, Orieta Kelaj dhe instrumentistët e këtij grupi, ku së bashku me mjeshtrin e Humorit të mirënjohurin Zef Deda, dhuruan emocione të pashlyeshme të përzgjedhura nga repertorët e tyre, duke e kthyer këtë natë në një natë festive shoqëruar me dashuri dhe humanizëm. E ku ka ndjesi më të bukur se sa ti dhurosh dikujt pak nga vetja jote dhe të japësh një përgjigje ndaj një nevoje aq të madhe zbutjes së varfërisë?!