“KREZHME ME TË VARFËRIT”

01

“Kreshme me të varfërit” është një ndër iniciativat kryesore të bamirësisë së Caritasit Dioqezan Sapa, që tashmë është kthyer në traditë dhe nxit fëmijët e moshave të ndryshme që të edukohen me ndjenjën e bamirësisë, duke kursyer pak nga vetja e tyre në mënyrë që të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre që gjenden në vështirësi të ndryshme ekonomike dhe sociale. Kjo fushatë sensibilizuese realizohet çdo vit, gjatë kohës së kreshmeve, kohë e cila na fton jo vetëm për lutje dhe agjërim, por edhe për lëmoshë.

E në kuadër të kësaj fushate, me mbështetjen e famullive të dioqezës së Sapës, janë shpërndarë 2000 kutija simbolike për fëmijët e katekizmit që përfshin moshën 7- 15 vjeç, në mënyrë që të ndërgjegjësohen dhe të mbledhin kontributin e tyre dhuruar për njerëzit në nevojë.

Për ta dëshmuar më së miri këtë vepër dashurie dhe bamirësie konkrete, nën organizimin e stafit dhe vullnetarëve të Caritas Sapa, me datën 4 maj 2019, u mbajt evenimenti i “Mbledhjes së kutijave të lëmoshës” me vetë protagonistët e kësaj fushate. Rreth 800 fëmijë nga të gjitha famullitë ku shtrihet Dioqeza e Sapës, u bashkuan në Katedralen Shën Nënë Tereza në Vau-Dejës në kremtimin e Eukaristisë Shenjte, të udhëhequr nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Simon Kulli. Pas meshës takimi i kësaj dite vazhdoi me argëtimin e fëmijëve, në oborrin e katedrales, ku prania e grupit të animatorëve të Caritasit dioqezan Sapa, me performancën e tyre krijuan një klimë gëzimi përmes muzikës, humorit, lojrave duke i dhënë kështu larmishmëri dhe ngjyra festive gjithë aktivitetit bamirës.

Violeta Marashi