DARKA E BAMIRËSISË

002

Në kuadër të kremtimeve të ditës së Caritasit, dhe në prag të Krishtlindjes, Caritas Sapa organizoi Darkën e Bamirësisë, të kthyer tashmë në një traditë, ku marrin pjesë miqtë e Caritasit, biznesmenë dhe artista që në një mënyrë apo në një tjetër dhurojnë dashuri nëpërmjet kontributit të tyre në ndihmë të njerëzve në nevojë.

Të pritur nga Ipeshkvi i vendit, imzot Simon Kulli dhe nga Drejtori i Caritas Sapa, z. Nikolin Lekaj, darka është hapur me një takim vëllazëror në Rezidencën e Ipeshkvisë së Sapës, ku bariu i grigjës së Sapës mbajti përshëndetjen e tij të rastit, dhe shprehi falenderimet për secilin të pranishëm që me mbështetjen e tyre që i japin Kishës u qëndrojnë më pranë të varfërve dhe atyre që kanë më shumë nevojë në dioqezën tonë. Mes të tjerave, ipeshkvi theksoi se të varfrit janë pasaporta jonë për në parriz”. Për ne është nevojë ungjillore të kujdesemi për ta, që janë pasuria jonë e vërtetë. E këtë duhet ta bëjmë jo vetëm duke u dhënë bukën e përditshme, por edhe duke ndarë me ta Bukën e Fjalës, e cila u përket më shumë se të gjithëve. Ta duash të varfrin, do të thotë të luftosh kundër të gjitha varfërive, shpirtërore e materiale.

Pas këtij takimi miqësor, mbrëmja vazhdoi me darkën vëllazërore të shtruar nga Caritasi, e cila jehoi në një festë gëzimi me pjesëmarrjen e artistëve të mrekullueshëm si: Orieta Kelaj, Ardjan dhe Ivan Tanushi, Instrumentistet e njohur Ilir Zoga dhe Anton Kaftalli si dhe humoristët nga Shkodra, Paulin Ujka Dhe Zef Ndoja që me interpretimet e tyre dhuruan emocione dhe dashuri për të pranishmit, duke e kthyer këtë natë bamirësie në një atmosferë të gëzueshme për secilin. Kjo ishte dhe një ndër ngjarjet më të veçanta të këtyre ditë feste, ku mbushën shpirtin plot nëpërmjet bamirësisë, duke bashkëndarë nga vetja e tyre dhe duke gëzuar zemrën e dikujt tjetër.