SHTËPI TË RE PËR FAMILJEN E BARDHOK NDOCIT

shtepi e re

Në prag të festave të fundvitit, Caritas Sapa ka gëzuar zemrën e një familjeje të tërë duke i bërë të mundur ndërtimin e shtëpisë së re. Familja e Bardhok Ndocit nga Mali i Rrëzuar, e përbërë prej 6 anëtarëve, tashmë do t’i gëzohen pa fund hyrjes në shtëpinë e re, e cila iu kishte munguar prej shumë kohësh.

Historia e kësaj familjeje ashtu si shumë histori të tjera të familjeve në nevojë, është e trishtë. Kjo familje jetonte në kushte tepër të vështira, e cila nuk i ka përmbushur kurrë kushtet më elementare për jetesë. Ekonomia ishte tepër e dobët dhe paaftësia e kryefamiljarit për të punuar e rëndonte edhe më tepër këtë situatë.
E sikur të mos mjaftonte kjo, në vitin 2003 kur ndodhën përmbytjet natyrore edhe ajo shtëpi që ishte u përmbyt dhe doli jashtë funksionit për jetesë, për arsye se ishte një shtëpi tepër e vjetër e ndërtuar që prej shumë viteve dhe shumë e amortizuar.
Pas kësaj ngjarje kjo familje u përball me vështirësinë më të madhe, duke mos pasur një strehë mbi kokë. Si fillim u vendos në një barakë e ndarë në dy dhoma tepër të vogla, por gjithnjë pa kushte jetese. Që këtu nisën edhe më tepër vështirësitë.
Nga gjendja e mjerueshme që ishte, Bardhoku nisë tentativat e para duke kërkuar ndihmë për të siguruar një strehë. Ai trokiti tek instancat përkatëse për të kërkuar ndihmë, por më kot… Më pas ai u drejtua tek zyra Dëgjimore e Caritasit Sapa për të treguar hallin që e kishte rrethuar. Me të dëgjuar problemin e tij, Caritasi mori masat në verifikimin dhe studimin e kësaj situate. Pas shumë kërkimeve për ndihmë, më në fund, falë donatorëve bamirës u arrit që të krijohet një fond bamirësie për ndërtimin e shtëpisë së Bardhokut. Punimet filluan që prej një viti, dhe fazë pas faze u përfundua plotësisht kjo shtëpi, e cila u ndërtua brenda të gjithë parametrave bashkëkohorë. Shtëpia përbëhet nga dy dhoma gjumi, një banjo, një sallon dhe një kuzhinë. Është plotësuar me të gjitha kushtet e nevojshme për një familje. E gjithë familja e Bardhok Ndocit tashmë përmes lotëve të gëzimit shprehin edhe falenderimet e përzemërta për këtë vepër bamirësie, e cila çoi në lehtësimin e vuatjeve dhe ecejakeve dhe krijimin e një jetese normale si gjithë të tjerët.