PLAZH ME PËRSONAT ME AFTËSI NDRYSHE

PLAZH ME PËRSONAT ME AFTËSI NDRYSHE

Ditët e nxehta të verës tashmë kanë filluar. Secili nga ne përpiqet që të mund t’i kalojë këto ditë jo vetëm me punë dhe me angazhimet e jetës së përditshme, por duke pasur edhe një farë gërshetimi mes pushimit dhe argëtimit.

E ndërsa ne mendojmë për këtë gjë, Caritas Dioqezan Sapa ka menduar që edhe për Personat me Aftësi ndryshe, të krijojë një tjetër dimension të ri relaksi, pushimi dhe argëtimi në një format ndryshe nga herët e tjera, duke iu ofruar mundësinë e plazhit, një risi kjo që sjell jo vetëm të mirat fizike e shëndetësore për këto persona, por edhe integrimin maksimal në shoqëri, dhe të ndjerit të barabartë me të tjerët.

Kështu, pas aktiviteteve të shumta që Caritasi ka zhvilluar gjatë gjithë vitit nëpër famulli të ndryshme, tashmë është shpërngulur pranë bregdetit të Shëngjinit, në qendrën e pagëzuar me emrin “Miqësia”, një qendër që ofron pushim, miqësi, qetësi, argëtim dhe lutje.

Në takimin e parë të organizuar me datën 05.07.2016, ishin të pranishëm rreth 18 Persona me Aftësi të Kufizuar të shoqëruar nga familjarët dhe vullnetarët e Caritas-it. Edhe pse me një infrastrukturë aspak të përshtatshme për këto persona, me ndihmën e vullnetarëve udhëtimi shkoi shumë mirë deri në vendmbërritje. Madje për Personat me Aftësi të kufizuar ishte një gëzim i papërshkrushëm që lexohej në sytë dhe shpirtin e tyre, që për herë të parë bashkoheshin në një ambjent të tillë.

Është për t’u vlerësuar shumë puna e stafit të Caritasit që me çdo kusht mundohet që t’ju japë gëzimin dhe buzëqeshjen e merituar të tillë personave. Vera do vazhdojë sërish dhe takimet e tilla do të jenë të shumta, ku pritet të shtohen edhe më shumë personat me aftësi ndryshe pjesëmarrës.